Akaidi sipas Imam Maturidiut

CHF14.90

Out of stock

Libri “Akaidi sipas Imam Maturidiut”: i autorit Kasim Gërguri, i ka munguar bibliotekës shqiptare në përgjithësi, e sidomos asaj islame në veçanti.

Titulli: Akaidi sipas Imam Maturidiut
Autor: Kasim Gërguri
Boton: Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës
Shtëpia botuese “Dituria Islame”
Biblioteka “Akaid”
Për botuesin: Mr. Naim Tërnava
Recensentë: Mr. Naim Tërnava, Mr. Orhan Bislimaj
Lektor: Isa Bajçinca
Korrektor: Mr. Orhan Bislimaj, Besnik Jaha
Ballina: Bashkim Mehani
Redaktor teknik & Realizimi kompjuterik: Nuhi Simnica
Shtypi: “Shkrola” – Prishtinë
Faqe: 316

Libri “Akaidi sipas Imam Maturidiut”: i autorit Kasim Gërguri, i ka munguar bibliotekës shqiptare në përgjithësi, e sidomos asaj islame në veçanti.

Ky libër vjen si një margaritar i pasur e me plot shembuj nga fusha e akaidologjisë, të argumentuar me tekst kuranor dhe profetik, duke sqaruar e zbërthyer secilin shembull në formën më të kuptueshme. Fakti se në shqip vjen në një kohë kur bazat e besimit islam nuk janë të stabilizuara njëformësisht te të gjithë myslimanët shqipfolës këtë libër e bën edhe më me vlerë, duke e bërë edhe bazë për stabilizim, por edhe udhërrëfyes për kahjen e akides që duhet ta ketë shoqëria jonë.

Me librin e tij, “Akaidi sipas Imam Maturidiut”, Kasim Gërguri ka dëshmuar se është studiues i mirëfilltë i shkencës së Akaidit.
Si në çdo studim të mirëfilltë që fillohet me paraqitjen e argumenteve nga ana etimologjike, për të vazhduar më pas edhe me prezantimin e kuptimeve profesionale, Gërguri në librin e tij, çdo herë dhe në mënyrë mjaft të zgjeruar, paraqet anën etimologjike e historike të temës, për të vazhduar pastaj me shpjegimin profesional të po asaj teme. Pra, librin si tërësi e nis me historinë: “Dijetarët më eminentë të “Ehli Sunetit” në lëmin e Akaidit”, anën informative, ndërsa vazhdon me kapitullin: “Besimi në Allahun dhe kushtet e imanit”, anën studimore.

Struktura e librit

Brenda kopertinave të librit” Akaidi sipas Imam Maturidiut” të Kasim Gërgurit kemi një material bukur të gjerë nga fusha e akaidologjisë, përkatësisht rreth 310 faqe.
Struktura e librit është e ndarë po në dy pjesë, libra, ndërsa para dy pjesëve kemi një parathënie nga myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, një “Hyrje” nga autori, një “Vlerësim në dorëshkrim (origjinal) nga dijetari i famshëm Imam Vehbi Sulejman Gavoçi” dhe “Vlerësimin e Imam Vehbi Sulejman Gavoçit në transkript”.
Pjesa e parë: e cila mban titullin “Dijetarët më eminentë të “Ehli Sunetit” në lëmin e Akaidit”, dhe është e ndarë në katër nënpjesë: “Imam Maturidiu r.h.”, dhe ka tetë nëntituj; “Imam Tahaviu r.h.”, dhe ka dy nëntituj; “Imam Esh’ ariu r.h.”, dhe ka gjashtë nëntituj, dhe; “Lidhshmëria në mes imamëve” që është një pjesë që prezantohet edhe nga vetë titulli, e që me patjetër kësaj pjese i rri si kurorë, pasi, duke përdorur mënyrën komparative, përmbledh dhe qartëson pikëtakimet dhe pikë dallimet mes maturidinjve, tahavinjve dhe esh’ arinjve.
Pjesa e dytë: e cila mban titullin “Besimi në Allahun dhe kushtet e imanit”, dhe është e ndarë në gjatë kapituj bazë (që përmbledhin gjashtë kushtet e imanit): kapitulli i parë, që flet për “Besimin në Allahun”, dhe që po ashtu ka gjashtë nënpjesë, e që janë: “Njësia Absolute”, që gjithashtu ka pesë nëntituj; “Cilësitë e Allahut”, që po ashtu ka pesë nëntituj; “Çështja e imanit dhe definicioni”, që ka katër nëntituj; “Argumente mbi ekzistimin e Zotit”, që ka dymbëdhjetë nëntituj: “Arshi-krijim madhështor” që ka tre nëntituj dhe tetë pjesë më të vogla, dhe; “Imam Ebu Mensur El-Maturi dij “Bej-Janu’l Arshi” – “Qartësimi i çështjes së Arshit” . Pas përfundimit të kësaj pjese libri vazhdon me kushtin e dytë të imanit, e që është edhe kapitulli i dytë i kësaj pjese, pra me “Besimin në melaike”. Menjëherë pas këtij kapitulli libri vazhdon me kapitullin “Besimin në librat e shpallur”, që ka pesë pjesë: “Tevrati”; “Zeburi”; “Inxhili”; “Kur’ani”, që ka një nëntitull, dhe; “Fletushkat”. Pas kapitullit të librave me radhë vjen kapitulli më titull “Besimi në pejgamberët”, që ka pesë nëntituj, ndërsa pasohet nga kapitulli i pestë, “Besimi në Ditën e Fundit-Kiametin”, që ka pesë nënpjesë: pjesa e parë, “Shenjat e Kiametit”, që ka tre nëntituj dhe pesë pjesë më të vogla; “Nga përgëzimi i besimtarëve”; “Nga tmerri i Kiametit”; “Vdekja”, që përbëhet nga gjashtë nëntituj, dhe; “Ringjallja”, që përbëhet nga nëntë nëntituj. Pas kësaj pjese është kapitulli i fundit i librit “Kaderi dhe Kadaja”, që ka dy nënpjesë: “Kaderi”, që ka një nëntitull, dhe “Kadaja”, që po ashtu ka një nëntitull.
Në fund të librit është edhe një kapitull, që duket se ka derivuar si përfundim dhe produkt i materialit të trajtuar përpara, përkatësisht kapitulli me titull “Islami fe e përsosur”, që pasohet nga një sintagmë, “Përgjegjësia e njeriut në këtë jetë -Amaneti”, e që del edhe si mesazh i librit.

Libër që vjen në vendin e duhur dhe në kohën e duhur

Libri i Kasim Gërgurit, “Akaidi sipas Imam Maturidiut” është i nevojshëm edhe për studiuesit, por edhe për shoqërinë kosovare në përgjithësi. Për studiuesit sepse paraqet të argumentuara bazat e besimit islam sipas drejtimit maturidi dhe jo vetëm, dhe në mënyrë shkencore dhe të mbështetur në argument fetare: Kuran, Sunet etj., ndërsa për shoqërinë kosovare në përgjithësi, sepse qartëson kahjen e akides që duhet ta mbajë shoqëria myslimane shqiptare, si dhe paraqet njohjen e drejtë të bazave të besimit të myslimanëve nga ana e komunitetit jomysliman në shoqërinë shqiptare.
Edhe nga njohësit më të mirë të akaidologjisë në shoqërinë shqiptare, përkatësisht kosovare, ky libër është vlerësuar si libër i arrirë, sidomos në pasimin në mënyrë regjimi të kriterit shkencor.
“Puna e autorit është bërë me një pedanteri të rrallë intelektuale, duke nisur që nga argumentet e shumta që flasin për ekzistimin e Zotit xh.sh. dhe mënyrën e besimit në Zotin, për të vazhduar me kushtet e tjera të besimit, deri te kadaja dhe kaderi, bazuar në ajetet kuranore dhe hadithet e Muhamedin a.s., gjithashtu duke analizuar edhe mendimet e dijetarëve të shumtë, po edhe të fraksioneve të shumta që merren në vazhdimësi, tash e 14 shekuj, me mësimet e kësaj shkence … “, thotë në parathënien e librit myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava.
Libri i Gërgurit gjen vend për të paraqitur mendimet bazë të Akaidit të gati secilit dijetarë të shquar, duke filluar nga dijetarëve më të njohur të Ehli Sunetit, që nga Maturidiu, për të vazhduar pastaj me Tahaviun, Esh’ ariun dhe të tjerët, po edhe me dijetarin dhe themeluesin e medhhebit hanefi, Imam Ebu Hanifen.
Sipas myftiut Tërnava, autori së pari i thërret mendjes së njeriut për të besuar në Zotin xh. sh., duke sjellë argument të shumta nga Kurani dhe Hadithi, të cilët vërtetojnë për ekzistimin e Zotit të Pafillim dhe të Pambarim, nën pushtetin e të Cilit zhvillohet çdo gjë në këtë ekzistencë. Autori në këtë libër paraqet dhe shtjellon çështjet themelore të shkencës së Ilmul Kelamit, duke zbritur herë pas herë edhe në logjikën e provave, gjithherë të bazuara në Kuran dhe Hadith. Njëkohësisht parqet edhe polemikat e vazhdueshme në mes dijetarëve dhe fraksioneve në lidhje me këto çështje, të cilat janë studiuar e shtjelluar në vazhdimësi nga dijetarët e shumtë të Akaidit.”
Elementi i vënies në peshojë të mendimeve dhe polemikave të dijetarëve lidhur me diskutimet që kanë të bëjnë me Ilmul Kelamin është vërejtur edhe nga myftiu Tërnava. Si shembull mund të rikujtojmë kur autori thotë se “maturuidinjtë besojnë se Allahu xh. sh. është i Përhershëm, pa fillim dhe i Gjithmonshëm, pa fund. I Lartmadhërishmi nuk përbëhet nga aksidensat (ela’radd), as nuk është i ndryshueshëm dhe nuk ndodhet në një anë të caktuar. Ai është Një i Vetmi, pa rival dhe Atij nuk I përngjet askush nga krijesat e Tij.”
Ky libër temat i trajton duke i argumentuar vazhdimisht me ajete kuranore dhe hadithe të Pejgamberit a.s., dhe kështu, duke qenë para dhe pas çdo mendimi fjala e Allahut dhe ajo e Pejgamberi a.s., lexuesit nuk ka si t’ i mbesin dyshime.
Siç thotë edhe myftiu Tëranava, “Ky libër i autorit Kasim Gërguri vë në pah mënyrën e drejtë të besimit dhe interpretimit të Islamit, sa kohë që brenda tij trajtohen themelet e kësaj feje.”
Ndërsa, sipas Orhan Bislimajt, recensentit të librit, “Ky studim vjen në një kohë ideale. Vlera e tij është e madhe, sepse vetë tematika është e veçantë. Libri në fjalë, duke vënë në fokus besimin e drejtë në Allahun e Madhëruar, sipas Kuranit dhe Sunetit, është një begatim i literaturës në gjuhën shqipe dhe i nevojshëm për të gjitha kategoritë e shoqërisë. E, në anën tjetër, parashtrimi i tij sipas principeve akaidologjike të Imam Ebu Hanifes dhe Imam Maturidiut r.h., është edhe një ndriçim i rrugës së Pejgamberit a.s. dhe sahabëve të tij, principe këto të transmetuara ndër breza nga Ehlu Suneti vel Xhemati, e të shtresuar a thellë në vetëdijen fetare të myslimanëve edhe në trevat tona mbarëshqiptarë.”
Myftiu Naim ef. Tërnava në parathënien e librit thekson tentativat për devijimin e drejtimit akaidologjik të shoqërisë myslimane shqiptare, gjë të cilën libri e përmend me synim të stabilizimit të orientimit. “Pra autori në këtë libër na mëson se Akaidi-besimi i drejtë është dituria dhe drita, e cila, në raport me rrymat-fraksionet e ndryshme, përballë mendimeve jo të drejta që çojnë në bidate dhe largim nga e vërteta, çon në rrugën e drejtë të ndjekur shekuj me radhë pas Muhamedit a.s. nga Ehli Suneti, përmes mësimeve të dijetarëve të Islamit, e përcjellë në trojet tona në mënyrën më të mirë, sa kohë që, kohët e fundit ka tentative nga grupe e klane të ndryshme që, për interesa parciale grupore e klanore, po edhe ideologjike, të devijojnë nga mësimet tona të drejta islame tash e gjashtëqind vjet në mesin e shqiptarëve”, thotë myftiu Naim Tërnava.
Pra, libri” Akaidi sipas Imam Maturidiut”, i autorit Kasim Gërguri, i ka munguar bibliotekës shqiptare në përgjithësi, e sidomos asaj islame në veçanti. Ky libër vjen si një margaritar i pasur e me plot shembuj nga fusha e akaidologjisë, të argumentuar me tekst kuranor dhe profetik, duke sqaruar e zbërthyer secilin shembull në formën më të kuptueshme. Fakti se në shqip vjen në një kohë kur bazat e besimit islam nuk janë të stabilizuara njëformësisht te të gjithë myslimanët shqipfolës këtë libër e bën edhe më me vlerë, duke e bërë edhe bazë për stabilizim, por edhe udhërrëfyes për kahjen e akides që duhet ta ketë shoqëria jonë.
Ky libër, në fillimet e tij, është vlerësuar edhe nga dijetari shkodran i përmasave botërore, Imam Vehbi Sulejman Gavoçi. Në një transkript të botuar në fillim të librit, dijetari shqiptar dhe autori i mbi 50 titujve dhe mbi 400 artikujve, Vehbi Sulejman Gavoçi, shprehet: “Falënderoj studentin Kasim Gërguri për besimin në mue ku me porosit ose kërkoj me lexue punen e vet në Tevhidë. E kam lexue punen vertet t’rregullt ne temë të pasum ne dijeni, në shembuj të lehët, por t’ zgjedhur për dogmat, për vertetimat qi sa her duhen sqarim e persiatje.”
Vlerësimin e tij dijetari Vehbi Sulejman Gavoçi e përfundon duke uruar e thënë: “Në fund uroj z. Kasim për këtë punë, e ndërsa shton me te për bibliotekën besimtare një thesar t’shtrejtë. Zoti xh. sh. ia shpërbleftë, edhe populli fitoftë nga ky libër.”
Urimi i dijetarit Vehbi Sulejman Gavoçi për librin dhe autorin është mënyra më e mirë e përfundimit të këtij recensioni, e të cilit urim i bashkangjitemi edhe ne.

Kategoritë

Akaidi sipas Imam Maturidiut

CHF14.90