Kamata – domethënia, pasojat, alternativat
CHF11.90
Titulli: Kamata – domethënia, pasojat, alternativat
Autor: Mr. Bashkim Aliu
Lektor: Naim Lapardhaja
Faqosja: Furkan Ism
Kopertina: Jusuf Saliu
Botues: Sh.B. Furkan Ism – Shkup
Shtypi: Print Ism – Shkup
Numri i faqeve: 300
Formati: A5
Islami është Fe universale që i përfshin të gjitha fushat e jetës. Ai erdhi mëshirë për njerëzit jo vetëm në fushën e besimit dhe të ritualeve praktike, por edhe në të gjitha fushat e jetës dhe aktivitetit, si të besimit, të moralit, të politikës, të ekonomisë etj.
Parimet që miratoi Islami, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kredibilitetit të tij dhe pengimin e çdo tentative që çon në përligjjen e të drejtave të tij, realizimin e drejtësisë dhe luftimin e të gjitha lëvizjeve që çojnë në zgjerimin e hendeqeve midis shtresave shoqërore, janë shembuj të rrallë të cilët bota bashkëkohore ka shumë nevojë t’i përfillë, për të garantuar nderin e njeriut, të drejtat e tij dhe sigurinë e shoqërisë.
Prej normave me rëndësi të veçantë për shoqërinë janë edhe ato të sistemit ekonomik, sepse nuk mund të paramendohet jeta e njerëzve pa transaksione, shitblerje, tregti etj. Në bazë të kësaj, All-llahu i Madhërishëm në disa vende në Kur’anin Famëlartë ka përmendur ajete që rregullojnë këto çështje dhe kryesisht në vija të trasha e rregulla të përgjithshme sqaroi se çfarë lejohet e çfarë nuk lejohet nga transaksionet e njerëzve, ndërkaq i Dërguari i All-llahut, Muhammedi s.a.v.s., i zbatoi urdhëresat hyjnore dhe dispozitat fetare në shoqëri, duke detajuar shumë dispozita që iu referohen këtyre çështjeve, e që në të drejtën Islame njihen me termin “Fikhu-l-mua’melat”- Dispozitat (e drejta) e transaksioneve.
Ekzistimi i sistemit të drejtë ekonomik, i cili do të ketë rezultate pozitive në shoqëri, kushtëzohet të filtrohet nga faktorët që do ta privojnë nga ndikimi pozitiv në shoqëri. E nuk ka dyshim se prej faktorëve më të mëdhenj në këtë drejtim është kamata.
Kurse, nisur nga fakti i pamohueshëm se e drejta Islame është sistem i drejtë hyjnor, kamata në të është e ndaluar, haram, dhe për atë që punon me kamatë All-llahu i Madhërishëm ka miratuar dënime të ashpra. Ndalimi i kamatës në Islam renditet në planin e Islamit për luftimin e dallimeve klasore, kthimin e të drejtave të të shtypurve, eliminimin e padrejtësisë nga shoqëria njerëzore dhe lirimin e njerëzve nga tirania e tiranëve, të cilëve u intereson vetëm interesi personal.
Bota e sotme është e fundosur në humnerën e kamatës, e cila është krim ndaj njerëzimit dhe tragjedi ekonomike. Madje, në shtresa të caktuara, kamata paraqet resurs themelor të të ardhurave të tyre. Po ashtu, sistemet e ndryshme ekonomike përmendin arsyetime të shumta për legjitimimin e këtij krimi – kamatës. Fatkeqësisht, edhe shoqëria shqiptare është përfshirë nga ky kancer i cili po e bren gjithnjë e më shumë atë.
Shkollarët muslimanë e kanë obligim të sqarojnë se kamata është krim dhe padrejtësi ndaj njerëzve, ajo nuk i sjell asnjë dobi njeriut dhe shoqërisë. Kjo do të arrihet me sqarimin e esencës së kamatës, pasojave të saj në rrafshe të ndryshme dhe mundësinë e organizimit të jetës ekonomike pa kamatë. Dhe mu një gjë të tillë është munduar ta bëjë edhe autori përmes këtij libri.