Mbulesa e muslimanes dhe sfidat e saj
CHF20.00
“Mos e nënçmoni dhe mos e përbuzni shaminë, sepse duke e përbuzur atë i keni përbuzur nënat, gjyshet dhe paraardhësit tuaj! Mos u bëni aragjykues të errët ndaj lirive dhe të drejtave të vajzave muslimane: bindja dhe zgjedhja e tyre e lirë nuk i bën asnjë dëm shoqërisë, përkundrazi, i sjell shumë të mira. Nëse doni që të jemi një shoqëri e civilizuar, më parë duhet që t’i pranoni këto vajza me veshjen e tyre si motrat tuaja, si bijat tuaja dhe si shoqet tuaja. Duhet t’i respektoni ato për vullnetin dhe rrugën e Zotit që kanë vendosur ta ndjekin! Duhet të doni të mirën për to, sepse ato janë bijat e këtij populli! Duhet t’i themi njëherë e mirë: Ndal diskriminimit! Ndal përbuzjes! Ndal luftës kundër fesë!”
Titulli: Mbulesa e muslimanes dhe sfidat e saj
Autorë: Ejup Haziri
Redaktor profesional:Avni Tafili
Redaktor gjuhësor:Dr. Hysen Matoshi
Përgatiti për shtyp:Bashkim Avdiu
Për botuesin: Lulzim Lecaj
Botues: Fondacioni i Rinisë Islame
“Mos e nënçmoni dhe mos e përbuzni shaminë, sepse duke e përbuzur atë i keni përbuzur nënat, gjyshet dhe paraardhësit tuaj! Mos u bëni aragjykues të errët ndaj lirive dhe të drejtave të vajzave muslimane: bindja dhe zgjedhja e tyre e lirë nuk i bën asnjë dëm shoqërisë, përkundrazi, i sjell shumë të mira. Nëse doni që të jemi një shoqëri e civilizuar, më parë duhet që t’i pranoni këto vajza me veshjen e tyre si motrat tuaja, si bijat tuaja dhe si shoqet tuaja. Duhet t’i respektoni ato për vullnetin dhe rrugën e Zotit që kanë vendosur ta ndjekin! Duhet të doni të mirën për to, sepse ato janë bijat e këtij populli! Duhet t’i themi njëherë e mirë: Ndal diskriminimit! Ndal përbuzjes! Ndal luftës kundër fesë!” (“Muslimanët janë njerëz, mos i përbuzni dhe përçmoni,” letër e hapur e studentes Albana Haxhiu, botuar në gazetën “Sot”, e premte, 3 nëntor 2006).
Shaminë e kam vënë sipas preferencës sime personale të veshjes dhe të shprehjes së lirë të besimit tim. Krenohem që e mbaj. Gjatë punës sime më se pesëvjeçare si mësuese, mendoj se kam dhënë kontributin tim profesional dhe, kur kjo gjeneratë nxënësish të integrohet në botën e zhvilluar, do t’i kujtojë me habi njerëzit që një ditë e larguan mësuesen e tyre vetëm për shkak se mbante shami.” Mësuesja e përjashtuar, Minire Pantina
“Në shkollat tona publike, p.sh. ka shumë gjëra që bien në kundërshtim me moralin dhe me traditën tonë të pastër dhe për këtë askush nuk brengoset. Ka edhe dukuri negative dhe ato sikur nuk vërehen, por ja që shamia si një vlerë e vërtetë fetare por edhe kombëtare jona ua vret sytë disave.”
Mësuesja e përjashtuar, Qefsere Fazliu
“Unë kurrë nuk do ta heq veshjen time. Ky është besimi im dhe duhet të më respektojnë. Nëse e bëjnë këtë, shkelin të drejtat e njeriut”. “Unë nuk do e heq shaminë. Veshja ime ka lidhje me diçka shumë të lartë dhe sublime. Nuk është aq e thjeshtë. Ta heqësh dhe ta veshësh. Këtu nuk bëhet fjalë aspak për të hequr dorë nga veshja që me bindje kam zgjedhur.” Studentja e përjashtuar, Behije Hoxha
“Unë jam e diplomuar në psikologji. Dhe, kur më është dashur t’i mbaj orët praktike në shkollë, dyert e shkollës më janë mbyllur me arsyetimin e vetëm se jam e mbuluar.” Studentja e përjashtuar, Suela Dibra
Në kohën e fundit debati më i ashpër dhe më i shpeshtë pa dyshim që është bërë rreth veshjes së femrës muslimane – mbulimit të trupit, sidomos në Evropë, duke mos i përjashtuar as trevat tona. Ne ishim dëshmitarë të një beteje të zhvilluar në dy taborë: atij pro veshjes islame dhe, tjetrit, kundër saj. Të dyja grupet, në njëfarë mënyre, radhitnin argumentet dhe faktet për pro dhe kundër.
Ishim dëshmitarë sesi mediet, ato vizuale, radiot e të shkruarat, gazetat, revistat e artikujt, bashkërisht, në të shumtën e rasteve, kur bëhet fjalë për të drejtën e veshjes së femrës muslimane, bëhen mjaft tendenciozë, përçmues, dëmtues dhe zhvlerësues.
Gjithashtu ishim dëshmitarë të mungesës së tolerancës në vendin tonë (dhe në vende të tjera) kur ishte fjala për vajzën e mbuluar, ku, edhe pse në mungesë të ligjeve që i ndalonin vajzat e mbuluara nga shkollimi, dikush vepronte ‘në kokën e vet’ duke i përjashtuar nxënëset që vinin në shkollë të veshura. Mandej, ata i arsyetonin vendimet e tyre duke i komentuar ligjet sipas tekeve dhe dëshirave te tyre.
Vajzat e veshura, të mbuluara, shihen me skepticizëm! Paragjykime të errëta ndaj vajzave të mbuluara janë shfaqur thuajse në çdo vend. Një vajzë e veshur sipas mësimeve të islamit, është konfirmim i nënshtrimit të saj ndaj Zotit dhe urdhrave të Tij. Në një shoqëri të mbytur nga injoranca dhe e manipuluar nga media armiqësore e të padrejta, s’ka sesi të mendojë në liri, e të njihet me të vërtetat. Madje një pjesë e shoqërisë pyet me naivitet: Si ka mundësi që në “kohën moderne” një vajzë të vishet e mbuluar! Pyesin të mahnitur!…
Gjithashtu kjo injorancë dhe këto paragjykime të errëta vijnë si shkak i mësimeve të shtrembëruara, qofshin ato nga Perëndimi apo nga Lindja, që shpeshherë mund të konsiderohen edhe të qëllimshme dhe të rrethanave ekzistuese që mbretërojnë.
Besimtaret, të cilat i zbatojnë me përpikëri mësimet islame dhe kanë vendosur një shami mbi kokat e tyre, po përjeton lloj-lloj sprovash dhe vështirësish dhe e tërë kjo vetëm pse ajo në dukje identifikohet si muslimane. Vështirësi për faktin se po zbaton një dispozitë hyjnore. Vështirësi për faktin se po cilësohet si e prapambetur dhe demode. Vetëm për faktin se praktikon një urdhër të obligueshëm për të cilin e ka porositur Allahu në librin e Tij, ajo bëhet objekt sulmi dhe mbi të hidhen mijëra mallkime, akuza, nënçmime dhe gënjeshtra. Vetëm pse ajo mban një copë shami mbi kokën e saj, ajo cilësohet si e rrezikshme, siç ndodhi në muajin shkurt të vitit 2007 në Amerikë, ku njerëzit nga urrejtja ndaj një vajze të mbuluar muslimane, kishin nxjerrë kokën nga dritaret e veturave duke i bërtitur asaj: “Terroriste, shko në shtëpi!” Mirëpo, ndodh edhe të vritet për shkak të shamisë, siç ndodhi në nëntorin e 2006-s në Kaliforni, kur një person, për shkak të urrejtjes ndaj femrave të mbuluara muslimane, qëlloi për vdekje një grua afgane, nënë e gjashtë fëmijëve. Apo në Dresden të Gjermanisë, ku Merwa el-Sherbini mbytet nga një ruso-gjerman, në mes të gjykatës duke u goditur 17 herë me thikë e pastaj goditet edhe burri i saj, ndërsa e tërë kjo skenë e tmerrshme ndodhi para syve të të gjithëve, duke mos ndërhyrë askush ndaj këtij akti brutal.
Ja deri në çfarë shkalle ka arritur urrejtja ndaj vajzës që mban shami!
Librin, të cilin e keni para jush, e kam ndarë në tre kapituj. Në kapitullin e parë kam folur për atë se ç’është mbulesa, rreth historikut të saj, vlerës së saj, etj., me fjalë të tjera kam folur përgjithësisht rreth shamisë së besimtares, se çfarë është, në të vërtetë, mbulesa prej së cilës po mbillet frikë pa nevojë. Në kapitullin e dy të jam përpjekur të shtjelloj dhunën dhe trysnitë ndaj vajzës që mban shami, sprovat e saj në përballje me sulmet e pamëshirshme islamofobike ndaj saj, që nga përjashtimi e deri te ndalimi që ajo të arsimohet, të jetë arsimtare, apo të punojë dhe, e gjithë kjo, për shkak të mbulesës. Pastaj kam folur për paragjykimin e krijuar dhe të ngulitur në kokat e disa njerëzve nga njohja e mangët ndaj realitetit, si dhe largimi i këtij paragjykimi ndaj vajzës me shami e shumë çështjesh të tjera. Ndërkaq, në kapitullin e tretë, të fundit, kam folur për disa çështje që njerëzit duhet të kenë kujdes të madh, si p.sh.: tallja me ligjet dhe dispozitat e Zotit, pengimi i vajzave nga mbulesa etj.
Në këtë libër nuk i kam përmbledhur të gjitha rrëfimet e atyre vajzave, të cilat u përjashtuan nga bankat shkollore për shkak të shamisë, por përqendrimi im më shumë ka të bëjë me ato ndodhi për të cilat u bë shumë bujë dhe u zhvilluan polemika të mëdha.
Nuk kam për qëllim të shkaktoj përçarje e as të nxis urrejtje dhe armiqësi, por qëllimi im është: që ta jap një ndihmesë, sado qoftë ajo, për evitimin e këtyre paragjykimeve; të mbrohen e drejta dhe drejtësia, të mos shkelen ligjet, konventat për të drejtat e njeriut si dhe të mësohet të jetohet me mendimin dhe me bindjen ndryshe e të respektohen bindja dhe vullneti i individit.
Libri rrëfen në mënyrë zinxhirore dhe është shkruar varësisht nga ngjarjet e ndodhitë të cilat janë zhvilluar. Nuk është shkruar ashtu siç është radhitur tani, por është shkruar varësisht nga ndodhitë, kurse më vonë është radhitur në formën që e kam parë të arsyeshme.
Nuk them se libri është i përkryer, ngase mund të ketë shumë të meta, i Përkryer është vetëm Zoti ynë, Allahu, Krijuesi i çdo gjëje!
Po ashtu nuk pretendoj se me punimin e këtij libri është mbyllur dera rreth mbulesës, por them të kundërtën. Nuk gjykoj mbi punimin tim, por këtë ua lë lexuesve të dashur.